YouthVoices në Gramsh: tre ditë, tre qytete, një zë i përbashkët për të rinjtë
YouthVoices në Gramsh: tre ditë, tre qytete, një zë i përbashkët për të rinjtë
Nga 10 deri më 12 nëntor 2026, Bashkia Gramsh priti Konferencën Transnacionale të Nisjes dhe Rrjetëzimit të projektit europian YouthVoices – Strengthening Local Democracy through Youth Engagement and Digital Participation, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian nëpërmjet programit CERV.
Rreth 60 të rinj, mësues dhe përfaqësues të institucioneve vendore nga Gramshi, Botevgradi (Bullgari) dhe Ptuji (Slloveni) u mblodhën në Gramsh rreth një pyetjeje të përbashkët: si mund të kenë të rinjtë një zë të vërtetë në vendimet që prekin jetën e tyre?
Aktiviteti nisi më 10 nëntor me një mbrëmje mirëseardhjeje në Qendrën Kulturore të Fëmijëve. Fyejt e Gramshit, këngët tradicionale dhe vallet e interpretuara nga të rinjtë e qytetit u treguan miqve se në Gramsh tradita dhe e ardhmja ecin dorë për dore.
Konferenca u zhvillua në Pallatin e Kulturës “Thoma Prifti” dhe u hap zyrtarisht më 11 nëntor nga Kryetari i Bashkisë Gramsh, z. Besion Ajazi. Në hapje folën edhe përfaqësuesit e partnerëve: z. Yonko Dodev nga Fondatsia Savremennost dhe znj. Tina Maroh nga Public Institute for Youth, Sports and Tourism Ptuj.
Dy ditë pune dhe dialogu
Gjatë dy ditëve të punës, pjesëmarrësit:
- Dhanë mendimin e tyre në mënyrë anonime nga telefoni, ndërsa përgjigjet shfaqeshin në kohë reale në ekran.
- Diskutuan sfidat e pjesëmarrjes rinore në bashkitë e vogla.
- Morën pjesë në një punëtori për barazinë gjinore, të moderuar nga vajza të reja.
- Njohën mjete të demokracisë me pjesëmarrje, si këshillat rinorë, buxhetimi me pjesëmarrje dhe asambletë rinore.
- Testuan njohuritë për vlerat e BE-së në një kuiz digjital dhe hodhën idetë e tyre në “Kutinë e Ideve të Qytetarëve”.
- Zhvilluan një dialog të hapur me përfaqësuesit e Bashkisë Gramsh.
- Prezantuan qytetet dhe vendet e tyre në një mbrëmje ndërkulturore.
Përtej sallës së konferencës, delegacionet e njohën Gramshin nga afër. Ato vizituan Kanionin e Holtës, një nga destinacionet turistike më mbresëlënëse të zonës, ku natyra e Gramshit u bë sfondi i bisedave dhe miqësive të reja. Në mbrëmje, miqtë vizituan Muzeun e qytetit, ku u njohën me historinë, traditat dhe trashëgiminë kulturore të Gramshit.
Çfarë solli konferenca për të rinjtë?
Konferenca u dha të rinjve nga Gramshi, Botevgradi dhe Ptuji mundësinë të shprehnin mendimet e tyre përmes mjeteve digjitale, të propozonin ide dhe të diskutonin drejtpërdrejt me përfaqësuesit e Bashkisë Gramsh. Në ditën e fundit, grupet e përziera ndërkombëtare ranë dakord për rekomandime të përbashkëta, të cilat do të përmblidhen në Raportin Fillestar të Nevojave të të Rinjve.
Takimet e ardhshme të projektit
- Botevgrad, Bullgari – prill 2027
- Ptuj, Slloveni – maj 2027
- Botevgrad, Bullgari – qershor 2027, aktiviteti përmbyllës i projektit
Bashkia Gramsh falënderon të gjithë të rinjtë pjesëmarrës, partnerët, Qendrën Kulturore të Fëmijëve, Ansamblin e Pallatit të Kulturës dhe të gjithë ata që e bënë Gramshin shtëpi për miqtë tanë.
Sepse demokracia vendore nis kur një i ri ngre dorën – dhe dikush e dëgjon.
Fotogaleri