Bashkia e re Gramsh kufizohet në veri me bashkinë Elbasan, në lindje me bashkinë Pogradec, në jug-lindje me bashkinë Maliq, në jug me bashkinë Skrapar dhe në perëndim bashkitë Berat, Kuçovë dhe Cërrik. Kryeqendra e bashkisë është qyteti i Gramshit.

Sipas Censusit të vitit 2011, bashkia e re numëron 24,231 banorë me densitet 32.78 banorë për km², ndërsa sipas Regjistrit Civil ajo numëron një popullsi prej 36.305 banorësh dhe densitet 49.11 banorë për km². Bashkia e re ka një sipërfaqe prej 739.22 km2.

Kjo bashki përbëhet nga 10 njësi administrative, të cilat janë: Gramsh, Pishaj, Kodovjat, Kukur, Kushovë, Lenie, Poroçan, Skënderbegas, Sult dhe Tunjë. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit Gramsh dhe qarkut të Elbasanit. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 94 fshatra .

Bashkia e Gramshit shtrihet në një territor shumë malor në Shqipërinë qendrore, ku toka bujqësore është e paktë (rreth 14 për qind e sipërfaqes) ndërsa pjesa tjetër e territorit është zonë pyjore ose kullotë. Qendra e bashkisë së re, Gramshi, u shpall qytet në vitin 1960 si një qendër e agroindustrisë dhe e industrisë ushtarake, e cila ka lënë një trashëgimi ndotjeje dhe papunësie.

Por ndërsa burimet ekonomike janë të pakta, mundësitë për turizëm natyror në Gramsh janë të shumta, si Ujëvara e Sotirës, Uji i Ftohtë më malin e Lenies, liqeni i Dushkut, Pishat e Grabovës, liqenet në malin e Rovjes, Shpellat në malin e Poroçanit, kalaja e Tunjës Irmanjit, etj. Mungesa e infrastrukturës pengon mbërritjen me lehtësi nga turistët të të gjithë pasurive të mëdha natyrore që ofron Gramshi. Gramshi do të mbahet mend për dy ndërmarrje të mëdha ushtarake, si ajo e prodhimit të armatimeve ku dikur punonin 1100 punëtorë e mbyllur përfundimisht në nivelin e prodhimit në vitin 2006. Ndërkohë uzina e prodhimit të baterive ka pasur të punësuar 440 punëtorë. Kjo e fundit u privatizua në vitin 2003 dhe mendohet se ka lënë pas rrezatim dhe ndotje në gjithë zonën. Po kështu në Gramsh ka pasur edhe një ndërmarrje të grumbullim-përpunimit me 880 punëtorë.

Kjo zonë ka njohur lëvizjen më të madhe të njerëzve drejt Gramshit e më pas drejt qyteteve të tjera. Në vitin 1991 ka pasur një popullsi prej 55 mijë banorësh ku vetëm 8,600 jetonin në qytet dhe pjesa tjetër në fshat, ndërkohë që në vitin 2015 Gramshi ka rreth 24 mijë banorë nga të cilët 8,400 jetojnë në qytet. Më shumë se gjysma e popullsisë rezulton të jetë larguar nga kjo zonë në drejtim të qyteteve të mëdha apo në emigrim.

Prerjet pa kriter të pyjeve kanë bërë që shumë fshatra të kenë probleme të rënda nga rrëshqitjet e tokës. Qyteti i Gramshit numëron rreth 300 biznese të regjistruara, shumica prej të cilave biznese të vogla tregtie apo shërbimesh.

Gjithsesi, në territorin e bashkisë së re është aktualisht duke u mbushur liqeni artificial në shërbim të kaskadës hidroenergjetike të Devollit, gjë që ka sjellë edhe nevojën për të ndërtuar një seri rrugësh të reja për të zëvendësuar rrugët ekzistuese të cilat po përmbyten nga hidrocentrali, si rruga Gramsh-Banjë dhe rruga Gramsh-Trashovicë. Megjithatë, banorët aktualisht nuk kanë fituar punësimin aq shumë të pritur për zonën pasi numri i punëtorëve në hidrocentrale është i vogël e nuk e ka zbutur papunësinë. Një tjetër rrugë është projektuar në anën tjetër të liqenit të krijuar nga hidrocentrali. Po kështu mbarimi i disa segmenteve do të bëjë që Gramshi të lidhet me rrugë me Korçën, i cili është dhe segmenti më i shkurtër në drejtim të kufirit. Një rrugë e shumëpritur është ajo Kodovjat-Molla e Grabovës që ka nisur nga ndërtimi.

Ndërtimi i hidrocentraleve mbi kaskadën e Devollit si dhe infrastruktura shoqëruese e këtyre hidrocentraleve pritet të zgjidhë pjesërisht problemin e rrugëve të këqija në territorin e bashkisë së re, si dhe të krijojë një mundësi për zhvillimin e turizmit malor dhe të turizmit të natyrës.

Por ndalimi i prerjes së paligjshme të pyjeve si dhe rigjenerimi i zonave pyjore përbëjnë një sfidë për bashkinë e cila pritet të ketë burime financiare të pakta nga taksat e veta. Krijimi i kushteve më të mira të jetesës dhe të mundësive për punësim është sfida kryesore e bashkisë së re dhe mënyra e vetme për ndalimin e largimit të të rinjve dhe depopullimin e zonës.